Lajme

Beka: IPK angazhohet për një polici të besueshme e profesionale

Arbër Beka, zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës
Arbër Beka, zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës

Në një ceremoni është bërë nënshkrimi i deklaratës për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Kreu i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se themelimi i Forumit Rajonal vjen pas konferencës rajonale të mbajtur në Prizren, ku një prej konkluzioneve ishte për themelimin e një forumi të përbashkët të agjencive të mbikëqyrjes, kontrollit policor të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Malit të Zi.

Arbër Beka, zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, duke folur për historikun e këtij institucioni, që nga themelimi e deri më tani, tha se në fillim ky institucion nuk kishte këto kompetenca që ka sot, por me mbështetjen OSBE-së, kryesisht në fushën e hetimeve dhe të inspektimeve, ndërkohë që më vonë, më 2010 IPK mori kompetenca shtesë, me ndryshimet ligjore që ndodhën, duke marrë kompetenca shtesë në fushën e hetimeve në çështjet penale, etj.

“Angazhimi ynë është që qytetarët tanë të kenë një polici sa më profesionale. Komplet angazhimi ynë është që zyrtarët policorë, gjatë realizimit të detyrave të veta, të kenë një profesionalizëm të lartë e të kenë një besueshmëri te qytetarët”, deklaroi Beka, në RTK.

Beka tha se që nga themelimi e deri sot, IPK ka kaluar nëpër sfida të shumta, që e përcjellin edhe sot, si  fjala vjen, mungesa e resurseve njerëzore, mjetet buxhetore, aspekti logjistik etj.

“Ideja ka qenë që të punohet së pari në kulturën organizative brenda vet IPK-së e, po ashtu, edhe brenda Policisë së Kosovës, që të kuptohet që ekziston një mekanizëm mbikëqyrës, i cili do të trajtojë të gjitha ankesat e qytetarëve”, tha Beka, derisa shtoi se ka pasur keqkuptime lidhur me funksionin e IPK-së mirëpo, theksoi ai, me kalimin e viteve këto janë anashkaluar dhe IPK tanimë shihet si një partner edhe nga vet Policia e Kosovës.

/Shqip.com