Lajme

Bejtullah Deliu kandidat i PDK-së për Rahovecin

Memli Krasniqi dhe Bejtullah Deliu

Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Bejtullah Deliut për kryetar të Komunës së Rahovecit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ka thënë se nga tetori “Rahoveci, qyteti i punës, i konakut e krenarisë, do të ketë kryetarin që e meriton”.

Ai është shprehur se Deliu do ta drejtojë këtë qytet, “që është zhvilluar shumë me qeverisjen e PDK-së, por ka ngecur në vitet e fundit”.

“Bejtullahu e njeh mirë Rahovecin, djersën e fermerëve, ndërmarrësve dhe pritjet e të rinjve të kësaj komune. Prandaj, ai ka edhe vullnetin e madh që të sjellë transformime në këtë qytet, ashtu siç e meriton”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

 Më tej, i pari i PDK-së ka pohuar se e viziton shpesh Rahovecin dhe se është krenar “me punët e mira që kemi bërë për këtë qytet”.

“Por e di që na presin edhe shumë angazhime të tjera. Me një ekip të shkëlqyer të kandidatëve për Asamblenë Komunale, me profesionistë të ndershëm, të rinj e të reja, qytetarët e Rahovecit kanë mundësinë që me Bejtullah Deliun dhe PDK-në të rikthejnë punët e mira në qytet e fshatra”.

Aktualisht kryetar i Rahovecit është Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po ashtu është kandidat për të rimarrë postin e të parit të kësaj komune./SHQIP.com