Bëhet ngritja solemne e flamurit në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Paraprakisht u mbajtë mbledhja festive e Qeverisë, ku Kurti tha se Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.
“Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë, shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik dhe këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur natyrisht për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufirit të saj. Dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre që ne sot jetojmë të lirë, të gjithë dëshmorët e kombit të gjithë martirët e republikës sonë. Në këtë ditë sërish e kujtojmë vizionin e arkitektin e pavarësisë, presidentin Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve të UÇK-së në krye me kryekomandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë Osmani gjatë ngritjes së flamurit.
Kryeministri Albin Kurti, shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falënderues.
Kurti tha se ky përvjetor e zë Kosovën të fortë ndërkombëtarisht, duke përmendur fitimin e liberalizimit të vizave.
“Para një muaji ne kujtuam 25 vjetorin e masakrës së Reçakut, pas tri javë përkujtojmë 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ndërkaq pas katër muajve do të shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pra rezistenca e çlirimi i paraprinë pavarësisë të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë nëpërmjet institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik e shoqëror. Ky 16-vjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme si as një herë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende. Përkujtomë dëshmorët, martirët… Duke i përkujtuar ata ne ia përkujtomë vetës edhe çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërri këtu por njëkohësisht edhe rrugën qe do ta vazhdojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë ai.
Urime ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka falënderuar ushtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, “veprimtarët politikë e miqtë ndërkombëtarët që dhanë gjithçka për Pavarësinë e Kosovë”.
/Shqip.com