Lajme

Begaj uron mjekët e Shqipërisë në ditën ndërkombëtare të tyre

Bajram Begaj president i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar mjekët për punën e tyre të palodhur

Përmes një postimi në Facebook, Begaj uroi mjekët në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut, uroj të gjithë mjekët e Shqipërisë, për punën e tyre të palodhur, në shërbim të qytetarëve. Pandemia COVID-19, na risolli në vëmendje madhështinë dhe përulësinë e misionit të mjekut. Për muaj me radhë, mjekët tanë iu dedikuan pacientëve të sëmurë, duke i qëndruar besnikë “Betimit të Hipokratit” e duke mos pyetur për rrezikun që i kanosej atyre vetë apo familjarëve”, shkroi Begaj.

Ndërsa, për sfidën që kanë kaluar mjekët gjatë Pandemisë, Begaj thotë se është arsye me shumë për tu respektuar përkushtimin e tyre.

“Sot, tek sa për fat ditët e vështira të pandemisë duken kujtim i së shkuarës, nuk duhet t’i mbetet së shkuarës shembulli i vetëmohimit të tyre, përkundrazi, duhet të jetë një arsye më shumë, për të respektuar bluzat e bardha për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre”.

Tutje, Begaj shprehu mirënjohje ndaj mjekëve.

/Shqip.com