Begaj takon homologët e rajonit: Mos të lejohen provokime që destabilizojnë Kosovën
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi së fundmi një seri takimesh me krerët e shteteve të rajonit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog.
Begaj u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Në qendër të bisedave ishin zhvillimet në veriun të Kosovës, me ç’rast, presidenti i Shqipërisë, siç u bë e ditur, nënvizoi nevojën që vendet e rajonit anëtare në NATO, duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Gjatë takimeve, Begaj me presidentët ndau vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Kosova Press.
Pjesë e diskutimeve me presidentët ishin dhe efektet që ka prodhuar lufta në Ukrainë për rajonin në tërësi, si dhe çështje me interes dypalësh.
/Shqip.com