Lajme

Begaj: Situata e patolerueshme në veri të Kosovës duhet të marrë fund

Bajram Begaj, president i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar popullin shqipëtar me rastin e festës së viti të ri.

Begaj ka uruar shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, për arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.

Sipas Begaj, situata e patolerueshme në veri të Kosovës duhet të marrë fund.

“Situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në veri të Kosovës duhet të marrë fund. Provokimet dhe gjuha e kërcënimeve nuk janë gjuha me të cilën mund të flitet, vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për anëtarësimin, sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Begaj në urimin e tij.

Presidenti i Shqipërisë ka bërë thirrje që shqiptarët e rajonit të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti dhe sigurie në hapësirën ku jetojmë.

/Shqip.com