Lajme Ballkan

Begaj pret Steinmeier në Tiranë, vizita e parë e një presidenti gjerman pas 27 vitesh

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti sot në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidentin e Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

Kjo shënon vizitën e parë të një presidenti gjerman në Republikën e Shqipërisë në 27 vite.

Vizita përbën një sinjal të mëtejshëm të mbështetjes nga ana e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, Steinmeier do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të ndryshme. Është parashikuar që të ketë një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama, raporton Abcnews.

Ditë më parë , Frank-Walter Steinmeier ka thënë se Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime”, është shprehur Steinmeier.

Presidenti gjerman ka deklaruar se Ballkani Perëndimor, nuk është lënë në harresë nga Evropa.

/Shqip.com