Lajme

Begaj: Pavarësia e Kosovës realitet i pakthyeshëm dhe kontribuues për paqen e sigurinë në rajon

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi gjatë konferencës me homologen sllovene Natasha Pirc Musar se mbështetja e Sllovenisë në procesin e zgjerimit europian të Ballkanit dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në veçanti, mbetet i rëndësishëm.

“Roli juaj në kuadër të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është një prej dëshmive të shumta”, tha Begaj.

Sipas tij, zgjerimi 2030 që doli si produkt i forumit strategjik të BLED-it është prova konkrete e mbështetjes sllovene. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë fort të bëjmë realitet këtë plan”, theksoi ai.

“Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit Euroatlantik të rajonit. Si një popull historikisht paqedashës, ne jemi të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në vetvete”, u shpreh Begaj.

Ai konstatoi se Shqipëria dhe Sllovenia marrin pjesë aktive në nisma dhe forume rajonale, duke veçuar Forumin e Bledit, procesin e Brdo-Brijuni dhe atë të Berlinit.

“Në veçanti, roli i Sllovenisë nëpërmjet Forumit të Bledit dhe Procesit të Brdo-Brijuni është me rëndësi për ne, sepse këto dy platforma vazhdojnë të mbështesin dhe kontribuojnë në perspektivën evropiane të rajonit tonë”, tha Begaj.

Po kaq me rëndësi, vijoi ai, ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovenia, si një nga shtetet e para që hodhi një hap të tillë.

“Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe kontribuues në paqen dhe sigurinë e rajonit tonë.  Shqiptarët e rajonit janë faktor stabilizues dhe me orientim Euroatlantik. Kjo u tregua edhe në rolin vendimtar të tyre në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO. Kjo dëshmohet edhe në përafrimin e shpejtë të Kosovës drejt NATO-s”, theksoi Presidenti.

Kreu i shtetit foli edhe për konfliktet që po përgjakin botën duke e konsideruar agresionin rus në Ukrainë si një sinjal se rajoni duhet të marrë masa për të moslejuar përhapjen e rrezikut.

“Ballkani Perëndimor mbetet ende një rajon vulnerabël nga aktorët që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Evropës dhe vlerave demokratike. Agresioni i padrejtë rus ndaj Ukrainë është një sinjal tjetër alarmi se sa të kujdesshëm dhe bashkëpunues duhet të jemi për të zvogëluar vulnerabilitetin dhe rreziqet nga këta aktorë”, vlerësoi Begaj.

/Shqip.com