Lajme

Begaj: Kosova e pavarur është përmbushje e amanetit të Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka marrë pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë.

Në fjalimin e tij, Begaj tha se Kosova e pavarur është përmbushje e amanetit të Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit.

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik. Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj”, tha Begaj.

Begaj ka thënë se lidhja vëllazërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë është e natyrshme.

“Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta”.

Presidenti shqiptar ka treguar se ata e mbështesin Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë.Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftrave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit”.

Veç tjerash, presidenti Begaj potencoi se Shqipëria mbështetë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qënurit bashkë në familjen e madhe evropiane. Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjelltë dhe respektimi i minoriteteve”.

Tutje, Begaj tha se Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës.

/Shqip.com