Lajme Ballkan

BE thotë se Kroacia është gati për t’u bashkuar me eurozonën në vitin 2023

Valuta euro

Në janar të vitit 2023, Kroacia mund ta miratojë euron si valutën e saj zyrtare.

Komisioni Evropian ka thënë të mërkurën se Kroacia ka përmbushur të gjitha kushtet për të adoptuar monedhën e përbashkët euro duke filluar nga viti 2023.

Ky ndryshim do ta bëjë Kroacinë vendin e 20-të evropian që përdor monedhën e përbashkët, raporton DW.

“Sot, Kroacia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt adoptimit të euros, monedhës sonë të përbashkët,” tha në një deklaratë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Bashkimi me monedhën e përbashkët “do ta bëjë ekonominë e Kroacisë më të fortë, duke sjellë përfitime për qytetarët e saj, bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi.”

Ndryshimi i planifikuar do të vijë më pak se një dekadë pasi vendi ballkanik u bashkua me BE.

Ndërsa shtetet që i bashkohen BE-së janë të detyruara të përdorin monedhën, ato nuk marrin automatikisht leje për ta bërë këtë.

Së pari, ato duhet të plotësojnë një sërë kushtesh ligjore dhe ekonomike, duke përfshirë një deficit të ulët të qeverisë dhe inflacion të qëndrueshëm të  matur kundrejt standardeve të BE-së./SHQIP.com