Lajme Ballkan

BE shpreh keqardhje që serbët nga Kosova nuk u lejuan të votojnë në referendum

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për faktin që serbët nga Kosova nuk janë lejuar që të votojnë në referendumin e së dielës që është mbajtur në Serbi, transmeton Shqip.com.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili u ka bërë thirrje dy palëve që të bien dakord për një zgjidhje të pranueshme reciproke, e cila do t’iu mundësonte serbëve të votojnë në Kosovë në zgjedhjet e ardhshme.

Lexo edhe:
Dy tema urgjente, por takimi i radhës Kurti-Vuçiç s’po bëhet – Stano thotë se u takon palëve ta caktojnë agjendën

“Votimi i serbëve në Kosovë me ndihmën e OSBE-së është një praktikë e vendosur prej kohësh, e aplikuar disa herë nga viti 2012 deri në vitin 2020. Na vjen keq për vendimin që këtë herë të mos e zbatojmë këtë mekanizëm të njohur”, tha Stano, raporton Tanjug.

Tutje, ai bëri thirrje nga Prishtina dhe Beogradi për fillimin e bisedimeve në mënyrë që të gjenden modalitete për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e prillit.

“Edhe pse nuk ka marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për këtë çështje në kuadër të dialogut, ne presim që palët të fillojnë negociatat për modalitetet që do t’u mundësonin serbëve të votojnë në zgjedhjet e organizuara nga Serbia në të ardhmen dhe ne jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë”, theksoi Stano.

Ndryshe, të dielën në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.

Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.

Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.

Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.

Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident./SHQIP.com