Lajme

BE planifikon përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

Flamuri i Bashkimit Evropian

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet në Tiranë udhëheqësit e Bashkimit Evropian prite të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së.

REL ka siguruar draftin e quajtur “Deklaratë e Tiranës” ku porositë e udhëheqësve të vendeve të BE-së ndaj vendeve të rajonit janë në të.

“Bashkimi Evropian rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të padyshimtë për perspektiven e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, bazuar në reformat kredibile nga ana e partnerëve“, thuhet po ashtu në tekst.

Sipas këtij drafti, udhëheqësit e BE-së pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.

“Qëndrimi krah BE-së është një sinjal i qartë strategjik i partnerëve, në kohën kur Rusia përshkallëzon luftën e saj agresive në Ukrainë. Vizioni i përbashkët i së ardhmes nënkupton edhe përgjegjësi të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta“, thuhet në draft-deklaratë.

Ajo kërkon nga vendet e rajonit që ta harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.

Ndonjë vend specifik nuk përmendet, por Serbia është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Përderisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, kërkojmë nga ta që të bëjnë përparim të shpejtë dhe domethënës drejt përshtatjes së plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë“, thuhet në tekst.

Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.

Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.

/Shqip.com