BE pa justifikim për mosliberalizimin e vizave

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nuk ka dhënë asnjë arsyetim për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pavarësisht se Komisioni Evropian ka vendosur tash e tre vjet që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, transmeton Shqip.com.
Szunyog është deklaruar për këtë çështje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për MSA-në, Kosovë-BE, pas kritikave të liderëve kosovarë për mosliberalizim.
“E dimë sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Von Der Leyen ka qenë e qartë. Komisioni i qëndron prapa vendimit të korrikut të vitit 2018 që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian në lexim të parë, por është në shqyrtim në Këshill”, ka thënë ai.
“Llogaris në mbështetjen e anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe të deputetëve që janë këtu sot që të vazhdojnë të punojnë me Parlamentin Evropian për ta arritur këtë qëllim. Kuvendi ka rol të rëndësishëm që duhet ta luajë në zbatimin e reformave dhe priorietizimin e reformave në sundim të ligjit”, ka thënë ai.
Tutje Szunyog ka thënë se BE-ja është e gatshme të punojë me Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.
Ndërkaq, Romeo Franc, kryetar i Komisionit, ka thënë se çmimin më të madh për mosliberalizim e paguajnë qytetarët e Kosovës. /Shqip.com
