Lajme

BE: Një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike

Bashkimi Evropian.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë elektrike midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur Bruksel ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Në reagimin e tyre thuhet se sot, pas diskutimeve të gjera, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe dhe Petar Petkoviq, ranë dakord në Bruksel për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjeve për Energjinë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili përcakton detyrime specifike për të dyja palët.

“Me marrëveshjen e sotme, Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe. Kjo hap rrugën drejt përfundimit të praktikës aktuale jo transparentë dhe të parregulluar” thuhet në reagimin e BE-së.

Po ashtu është bërë e ditur se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që të monitorojë zbatimin teknik të marrëveshjes komerciale ndërmjet Elektrosever dhe KEDS, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë.

Në fund BE falënderoj të dy kryenegociatorët për përkushtimin dhe qasjen e tyre të përgjegjshme ndaj procesit, që çoi në rezultatin e sotëm./Shqip.com