Lajme

BE-ja pret që në fillim të vitit Kosova ta nisë themelimin e Asociacionit

Qeveritarët me në krye kryeministrin Albin Kurti, dje e nisën vitin e ri duke festuar disa arritje për të cilët i morën meritat. Madje një ministër tha se për më pak se tri vjet, arritën të bëjnë atë që paraardhësit e tyre “nuk arritën ta bënin për dy dekada”.

Dialogu me Serbinë nuk mund të anashkalohet, tha në anën tjetër emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili foli për progres në normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se “Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit”. Në Bruksel presin që kjo të nisë në fillim të këtij viti.

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla të hënën shkuan herët në aeroportin “Adem Jashari”, për të përcjellur qytetarët e parë që udhëtuan pa viza pasi liberalizimi hyri në fuqi.

“Ky mëngjes i vitit të ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë se sa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive për qytetarët e Republikës tonë”, tha Kurti në një konferencë për media, ku foli për forcimin e identitetit dhe dinjitetit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

Që nga e hëna e 1 janarit, automjetet me targa të lëshuara nga Kosova nisën të lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë, sipas një vendimi të marrë paraprakisht në Beograd.

Pas drekës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, shkroi në Facebook se kompania serbe, Elektrosever ka nisur nominimin e energjisë elektrike që konsumohet në veri të vendit, siç ishin marrë vesh me KEDS-in. Ai tha se “1 janari 2024 shënoi fillimin e proceseve të rëndësishme për vendin tonë, e për më tepër procese të cilat po ndodhin për herë të parë”.

“Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Bislimi. Këtë fjali e mori për ta postuar në llogarinë e tij në Facebook edhe kryeshefi i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), Evetar Zeqiri.

Ministri i Financave, Hekuran Murati shkroi dje se “atë që tjerët nuk arritën ta bënin për dy dekada, u bë për më pak se 3 vjet”, duke përmendur liberalizimin e vizave, njohjen e targave të automjeteve nga Serbia dhe marrëveshjen për rrymën në veri.

E deputeti tjetër i LVV-së Dimal Basha e shfaqi kështu gëzimin për njërën nga sukseset e djeshme.

“Dikur shoferët tanë detyroheshin me vu stikersa në Serbi, kurse shoferët serb qarkullonin lirshëm me targa të Serbisë në Kosovë!

Sot shtetasit serb vazhdojnë të vënë stikersa në Kosovë, kurse qytetarët tanë qarkullojnë lirshëm me RKS në Serbi!

Ndryshimi ka emër!

Albin Kurti” shkroi ai.

Po dje, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur specifikisht për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe njëfarë progresi të arritur në këtë drejtim në një intervistë për mediumin serb, “Politika”.

Lajçak tha se pritet që “Kosova më në fund të ecë përpara” drejt themelimit të Asociacionit, dhe Serbia paralelisht “t’i përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes”. Ai tha se zbatimi nuk mund të jetë proces i pafund dhe tregoi se në Bruksel po presin që themelimi i Asociacionit të nisë në fillim të këtij viti.

“Diskutimet për hapat e veprimet dhe renditjen e tyre janë duke vazhduar dhe ne presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi. Është e qartë, megjithatë, se derisa Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i drejtë”, tha Lajçak, i pyetur se kur pret që dialogu të rifillojë dhe çfarë është diskutuar në takimet e fundit të veçanta me negociatorët kryesorë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Lajçak tha se në “bisedimet shtesë” të dhjetorit “ka pasur disa përparime”.

Emisari tha se në tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “e pranuan në parim draft-statutin europian në një takim me presidentin francez, kancelarin gjerman, kryeministren italiane, si dhe presidentin e Këshillit Europian dhe përfaqësuesin e lartë në Bruksel”, duke e cilësuar këtë si “një hap të qartë përpara”.

“Gjithashtu u konstatua se nevojitet një punë shtesë në statut përpara se të fillojë zbatimi. Ky është një hap i qartë përpara, dhe ndryshe nga vitet e kaluara, tani jemi duke diskutuar aktivisht për krijimin e një Asociacioni/Bashkësie bazuar në propozimin që kemi paraqitur. Ne kemi pasur tashmë dy runde të bisedimeve të nivelit të ekspertëve me Serbinë për draft-statutin dhe kemi arritur të sqarojmë disa keqkuptime dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të caktuara, por ende nuk i kemi mbuluar të gjitha çështjet. Duke qenë se draft-statuti europian përmban shumë dispozita të detajuara për një gamë të gjerë temash, ne do të duhet t’i vazhdojmë këto diskutime pas pushimeve. Megjithatë, ky nuk mund të jetë një proces i pafund dhe presim që zbatimi i marrëveshjes dhe themelimi i asociacionit/komunitetit të fillojë në fillim të vitit 2024”, tha Lajçak.

Diplomati theksoi edhe se “dialogu nuk mund të anashkalohet”.

Nga Brukseli edhe para një jave thanë se themelimi i Asociacionit “pritet të fillojë së shpejti”. BE-ja tha po pret lëvizje nga Kosova, pasi mirëpriti vendimin e Serbisë për t’i njohur targat e automjeteve të lëshuara nga shteti të cilin nuk e njeh zyrtarisht.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Masrali i ka thënë Gazetës Express se tash është faza e avancuar e procesit të themelimit të kësaj bashkësie komunash.

“Ne presim që të dyja palët të vazhdojnë diskutimet mbi bazën e këtij drafti. Kosova ka pasur mundësinë që në 10 vitet e fundit të paraqesë një propozim për Asociacionin. Në këtë fazë të avancuar të procesit ku pritet të fillojë së shpejti themelimi i Asociacionit, Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e tyre për draftin në tryezë”, tha Masrali.

Përgjigjja ishte specifikisht për Kurtin, i cili paraprakisht kishte shprehur gatishmërinë që në vitin 2024 ta shkruajë një draft-statut për Asociacionin, duke i reaguar kështu emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili tha se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.

Ndërsa Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që kryeministri i Kosovës të lëvizë urgjentisht drejt formimit të Asociacionit, Kurti tha para javën e kaluar se shansi për këtë humbi në natën e 26 tetorit, kur ai zhvilloi në Bruksel një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

Lajçak, që ka fituar një përvojë të rëndësishme ndërmjetësimi në takimet ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit dhe të kryenegociatorëve, së fundmi është paraqitur më i kënaqur me procesin e zbatimit, duke thënë se ka progres në normalizimin e marrëdhënieve.

/Shqip.com