Ekonomi Biznes

BE-ja kërkon blerje të përbashkët të gazit

Komisioni Evropian synon që vendet e BE-së të fillojnë të blejnë së bashku gaz shumë përpara stinës së verës. Deklarata u bë nga zv/presidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, duke e cilësuar një përpjekje për të ndihmuar vendet të rimbushin rezervat dhe të shmangin një krizë furnizimi dimrin e ardhshëm.

Pas një takimi të parë të përfaqësuesve të vendeve të Bashkimit Evropian për të koordinuar blerjet e planifikuara, Sefcovic tha se ai u kishte kërkuar vendeve anëtare që të angazhohen me shpejtësi me aktorët e tregut në vendet e tyre për të vlerësuar vëllimet e gazit që ata do të blejnë së bashku.

Sefcovic i kërkoi sektorit  të industrisë të konfirmojë nëse janë të interesuar të bashkohen me skemën e BE-së për të blerë së bashku gazin, i cili Komisioni shpreson se do të ndihmojë Evropën të rimbushë rezervat e varfëruara, si dhe të negociojë çmime më të ulëta duke përdorur fuqinë blerëse kolektive të vendeve.

Disa zyrtarë të BE-së thanë se disa firma të mëdha energjetike kanë shprehur hezitim për t’u bashkuar, pasi ato tashmë mund të negociojnë marrëveshjet e tyre të gazit dhe dyshojnë se skema e BE-së do të sjellë çmime më të ulëta.

Komisioni synon të publikojë sasinë e gazit që vendet evropiane planifikojnë të blejnë bashkë në fillim të pranverës, për të tërhequr oferta nga furnizuesit. Vendet e BE-së duhet të sigurojnë që kompanitë e tyre vendase të marrin pjesë në grumbullimin e kërkesës për gaz me vëllime ekuivalente me 15 % të gazit të nevojshëm për të mbushur objektet e depozitimit të vendeve deri në 90% të kapacitetit, raporton Scan tv.

Në të gjithë BE-në, kërkesa prej 15 % arrin në rreth 13.5 miliardë metra kub gaz – një copëz e importeve totale të gazit të bllokut sipas të dhënave të Eurostat.

/Shqip.com