BE-ja fton Kurtin e Vuçiqin në Bruskel, thotë se po e përcjell me shqetësim situatën në veri

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Peter Stano, ka thënë sot në një konferencë shtypi në Bruksel, se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.
Ai ka kërkuar që të ndërpritet “çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes”.
“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, tha Stano.
Sipas Stanos, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.
“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”.
“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrellit dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, theksoi Stano para gazetarëve.
Sipas tij, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin ndërkohë në Bruksel për të diskutuar një rrugë përpara. “Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”.
Stano ka konfirmuar se Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se “do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve”.
Theksojmë se Albin Kurti gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ende nuk ka marr ftesë nga kryediplomati Borrell.
“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë”, tha ai./Shqip.com