Lajme

BE-ja e gatshme për masa ndëshkuese ndaj Kosovës e Serbisë

Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së kishte ujdi, se Kosova dhe Serbia do të përballen me masa ndëshkuese nëse nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Masat parashikohen të jenë politike e financiare. 

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg u shpreh të hënën ( 26.06) , se vendet anëtare të BE-së do ishin të gatshme të ndërmerrnin masa si ndaj Kosovës edhe Serbisë nëse nuk shënohet përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Borrell i informoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare për situatën në veri të Kosovës dhe bisedimet e ndara të javës së shkuar që kishte me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuҫiq.

Javën e shkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq ishin në Bruksel, por nuk u takuan me njëri tjetrin.

Të dy zhvilluan takime ndarasi me ndërmjetësit evropianë, por nuk u shënua asnjë përparim në dialog, veç zotimit për ulje të tensioneve. Bashkimi Evropian i ka kërkesat e qarta: Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht duhet t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. E nga Serbia ndërkaq kërkohet që të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Nëse nuk do të ketë përparim në këto pika, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, “do të jenë politike dhe financiare”, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u thelluan në fund të muajit të shkuar, ku grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Për pasojë pati përleshje edhe me trupat e KFOR-it. NATO-ja shtoi prezencën e tyre në Kosovë edhe më rreth 700 ushtarë, të gatshëm për të mbajtur situatën nën kontroll./DW

/Shqip.com