Lajme

BE-ja e fton Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksander Vuciq që të udhëtojnë drejt Brukselit për t’u takuar dhe diskutuar për gjetjen e një “zgjidhje evropiane” për të dalë nga situata e krijuar në veri të Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar sot në Bruksel vetë zëdhënësi i BE-së, megjithatë ende s’dihet nëse kjo ftesë do të pranohet nga Kurti dhe Vuçiq, raporton N1.

“Kur bëhet fjalë për situatën e përshkallëzuar dhe të krizës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të theksoj vetëm se angazhimi i BE-së si lehtësues i dialogut është në vazhdim dhe ne presim sjellje evropiane që çon në një zgjidhje evropiane.

Ne ftuam Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti të vijnë në Bruksel në një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ai takim të ndodhë shumë shpejt”, tha Stano.

I pyetur për pretendimet e mediave të caktuara të Prishtinës se tashmë është arritur një marrëveshje në tavolina, përkatësisht se i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak tashmë ka dërguar një draft të propozimit të zgjidhjes evropiane në Beograd dhe Prishtinë, Stano tha se BE-ja nuk komenton spekulimet të cilat, siç theksoi ai, janë kundërproduktive.

Kjo ftesë për dy liderët vjen kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data 21 nëntor, kur edhe skadon shqiptimi i qortimeve dhe fillon faza e gjobave për ata që nuk i heqin tabelat ilegale.

/Shqip.com