Lajme

BE-ja e fillon projektin 4 milionësh për deminimin në Kosovë

Pamje nga vendi ku ka filluar deminimi

Sot në Graçanicë në një manifestim të hapur zyrtarisht është shënuar fillimi i projektit të deminimit në vlerë prej 3.9 milionë euro, financuar nga Bashkimi Evropian.

Partnerët zbatues janë HALO Trust dhe Ndihma Popullore Norvegjeze (NPA), me NPA që udhëheq këtë projekt i cili do të merret me pastrimin e bombave kasetore dhe mjeteve të tjera shpërthyese nga zonat e kontaminuara.

“Edhe pse është arritur progres i konsiderueshëm në aktivitetet e pastrimit të minave, minat vazhdojnë të jenë një kërcënim për banorët dhe jetesën, duke penguar qasjen, pajtimin dhe zhvillimin në Kosovë”, tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Që nga viti 1999, financimi për këto aktivitete jetike drejtohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze. Gjatë dy dekadave të fundit, puna humanitare e HALO Trust dhe NPA në Kosovë është mbështetur edhe nga qeveritë e Japonisë, Zvicrës, Belgjikës dhe Holandës.

“Ne jemi të përkushtuar për një Kosovë pa mina dhe ky program do të na sjellë një hap më afër këtij qëllimi. Këto aktivitete të deminimit janë kritike për sigurinë e njerëzve dhe gjithashtu kanë një rol kyç për stabilitetin në rajon si dhe për zhvillimin e tij”, tha Tamra Gregg, ushtruese e detyrës së shefit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Si pjesë e këtij projekti, do të pastrohen 400,000 metra katrorë tokë të kontaminuar nga minat si dhe 3,600,000 metra katrorë tokë të kontaminuar nga municionet kasetore, me qëllimin përfundimtar për t’i ofruar komuniteteve lokale qasje të sigurt në ato zona.

Këto zona të kontaminuara janë të shpërndara në rezervate natyrore, male, pyje, kullota dhe toka bujqësore, gjë që pengon qasjen në shërbime jetike, burime natyrore dhe hapësira ku mund të zhvillohet turizmi dhe aktivitetet sociale. Për më tepër, përmes kësaj iniciative perveq tjerash do të bëhet edhe promovimi i përfaqësimit gjinor dhe të komuniteteve si dhe i diversitetit kulturor dhe dialogut.

Përveç pjesëmarrjesve të delegacioneve nga Ambasadat e BE-së, SHBA-së dhe Norvegjisë, prezent ishin edhe Drejtori i Bashkëpunimit për Zhvillim nga Zyra e Kryeministrit, Florim Canolli, Shefi i Grupit për  Menaxhim të Kërcënimeve nga Eksplozivëve pranë KFOR-it, Ciprian Andrica, anëtarë të Ekipit të Ndërlidhës  për Monitorimit pranë KFOR-it, përfaqësues nga komuna e Gracanicës si dhe përfaqësues nga Qendra e Veprimit për Deminin në Kosovë (QKD).

Projekti  Veprimi për Deminim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë gjatë tre viteve të fundit midis BE-së në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, Norwegian People’s Aid (NPA) si dhe HALO Trust.

/Shqip.com