Lajme

BE e vazhdon ngujimin e kosovarëve

Foto ilustruese
Lajmi me Audio

Ishte viti 2018 kur qytetarët e Kosovës do të merrnin një lajm shumë të mirë.

Këshilli Evropian kishte shprehur qëndrimin se Kosova, ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Por, edhe viti 2022 e gjeti vendin pa dritën jeshile të lirisë së lëvizjes, përkundër faktit se Republika Çeke, e cila mbante presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit që lamë pas, bëri përpjekje të mëdha për të bindur disa shtete që të pajtoheshin për të dhënë liberalizimin e vizave Kosovës.

Para më shumë se pesë muajsh, Komisioni Evropian kishte dalë me sqarimin se nuk kishte planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova, i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Por, ky konstatim zgjati pak kohë dhe Kosovës iu vu një kusht i ri, ani se i njëjti ishte kundërshtuar nga zyrtarët shtetëror të vendit dhe shumë diplomatë të huaj.

Me propozimin e ri, Kosova duhet të priste derisa të hynte në fuqi një sistem i ri për kontrollimin e lëvizjes së qytetarëve drejtë BE-së i njohur ndryshe si ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit).

Ndërsa, tetori dha një kthesë për këtë proces.

Më 12 të atij muaji, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Në takimin e parë të Grupit Punues për vizat e Kosovës që u mbajt më 13 tetor, Franca kushtëzoi këtë proces.

Parisi zyrtar kërkoi që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për vizat e Kosovës të bëhet me kushtëzimin e që të hyhet në fuqi Sistemi ETIAS.

Siç kanë raportuar mediat, ka pasur raporte se ky sistem është mbështetur nga së paku katër vende të Evropës, siç janë: Suedia, Belgjika, Holanda, Spanja.

Ilustrim

Sistemi digjital ETIAS, i cili tani është kusht i ri për Kosovën në procesin e regjimit të vizave, ka për qëllim evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë Bashkimit Evropian, në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

30 nëntori shënon ditën kur ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, janë pajtuar që t’ia japin mandatin Këshillit të BE-së për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit, do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Në rast se ky sistem nuk hyn në fuqi, atëherë data e fundit e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë më së largu më 1 janar 2024.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë se në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është bërë përparim.

Ndërsa, së fundi ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, miratuan kompromisin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, deri në miratimin përfundimtar deri në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com