Lajme

BE do të dërgojë mision vëzhgues në Kosovë për zgjedhjet lokale në tetor

Presidentja Vjosa Osmani pret në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili i dorëzoi asaj zyrtarisht letrën e dërguar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell, në lidhje më vendimin për vazhdimin e mandatit të misionit teknik të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, njofton Shqip.com.

Shefi i BE-së theksoi se i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Presidentes për dërgimin e një misioni vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe se prezenca e BE-së në këto zgjedhje do të jetë në nivelin e kërkuar.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e ZPRK-së , më tej në takim u diskutua edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit me BE-në, si dhe u identifikuan disa opsione për shtimin dhe konkretizimin e mbështetjes së BE-së në drejtim të implementimit të reformave të duhura në vend ne fusha të ndryshme.

Po ashtu, Osmani dhe Szunyogu diskutuan për nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe obligimet e të dyja palëve në këtë marrëveshje. Osmani theksoi që Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke theksuar edhe rëndësinë e zbatimit të obligimeve të dala nga ajo edhe nga ana e Bashkimit Evropian. /Shqip.com