Lajme

BE: Bllokimi i drithit ukrainas nga Rusia është ‘krim i vërtetë lufte’

(Foto: Financial Times)

Rusia ka bllokuar miliona tonë drithi ukrainas në Detin e Zi të qarkullojë lirshëm tash e disa muaj.

Rreth kësaj çështje ka folur Josep Borrel, i cili është shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, raporton BBC.

“Është e paimagjinueshme – nuk mund të imagjinohet që miliona tonë grurë të mbeten të bllokuara në Ukrainë, ndërsa në pjesën tjetër të botës njerëzit vuajnë nga uria,” ka thënë ai.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të zhbllokojë portet [ukrainase]”, shtoi Borrel.

Josep Borrrel, Shef i Politikës së Jashtme të BE-së

Bllokada ka shkaktuar paralajmërime se dhjetëra miliona njerëz janë në rrezik të urisë dhe ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten.

Përpara takimit në Luksemburg, zoti Borrell tha: “Ky është një krim i vërtetë lufte, kështu që nuk mund ta imagjinoj se kjo do të zgjasë shumë më gjatë”.

Ai tha se Rusia duhet të mbahet “përgjegjëse” nëse vazhdon të bllokojë eksportin e drithit të nevojshëm jetik nga Ukraina.

(Foto: EPA)

Po ashtu, Ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna tha se “Rusia duhet të ndalojë së luajturi me urinë globale” pasi ajo kërkon ndikim në Perëndim.

“Lënia e drithërave të bllokuara është e rrezikshme për stabilitetin në botë”, tha ajo.

Përndryshe, lufta në Ukrainë – që nisi më 24 shkurt të këtij viti – bëri që shumë shtete të vendosin sanksione drejt Rusisë. /Shqip.com