Lajme

Bastiset shtëpia e ish-kryeprokurorit te Apelit, Haxhi Dërguti

Shtëpia e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti është bastisur në mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës.

Kjo bastisje, siç mëson KALLXO.com është udhëhequr nga prokuroria speciale. Para disa ditëve është publikuar një hulumtim dyvjeçar që ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Incizimet pasqyrojnë përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti në një aferë korruptive. Të gjitha incizimet janë bërë në vende publike dhe përbëjnë çështje të interesit të lartë publike.

Dërguti më pas ka pretenduar se incizimet e publikuara nga KALLXO.com janë marrë në mënyrë të paautorizuar.

Lexo edhe:
Ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Derguti dyshohet se mori mijëra euro për të ushtruar ndikim në proces gjyqësor

Ish-kryeprokurori thotë se do të ofrojë gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime.

Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.

Biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Shqip.com edhe më herët ka shkruar rreth Haxhi Dërgutit. Në bazë të hulumtimit tonë, kishte rezultuar se Dërguti kishte arritur që të punësoj shumë familjarë në pozita publike.

Siç tregohet në hulumtimin e publikuar nga Shqip.com, në episodin e fundit të emisionit investigativ “N’Shënjestër”, Dërguti kur u kontaktua nga ekipi hulumtues, nuk e pranoi se ka familjarë të punësuar, derisa iu përmendën emrat.

Lexo edhe:
Haxhi Dërguti – ish-Kryeprokurori i Apelit me numër rekord të punësimeve familjare në KEDS

Me këtë rast, ai nisi t’i justifikojë punësimet.

“Kërkon se kam të punësuar unë aty”, ka thënë Dërguti fillimisht për Shqip.com, por që pak minuta më vonë tha se e ka vetëm djalin.

“Veç djalin e kam”.

Lexo edhe:
Në rrugë nga KEDS-i, të braktisur nga Shteti

/Shqip.com