Kulturë Kino

Basholli për “Variety”: Përgjegjësi e nder i madh që “Zgjoi” përfaqëson Kosovën në Oscars

Shtëpia e parashikimeve zyrtare për ceremonitë e ardhshme të Oscars, Variety, së fundmi po zhvillon intervista me regjisorët e filmave të përzgjedhur për Oscars, për të diskutuar rrugën e tyre drejt çmimeve.

Njëjtë “Variety”, ka realizuar intervistë, edhe me regjisoren kosovare të filmit “Zgjoi”, Blerta Bashollin.

Basholli për Variety, ka thënë se për të është nder që tashmë filmi “Zgjoi”, është i listuar në nominimet për “Oscars”.

“Njerëzit kanë kaluar shumë në këtë vend dhe rrugëtimi i “Zgjoi” po u jep shpresë. Të gjithë, fjalë për fjalë të gjithë, janë kaq krenarë për filmin tonë dhe të gjithë po brohorasin për ne në këtë sezon çmimesh”, ka thënë ajo.

E pyetur se cili ka qenë aspekti më sfidues i fushatës së filmit deri më tani, Basholli ka theksuar komunikimin e drejtpërdrejt me publikun.

“Unë nuk kam shumë përvojë në fushatë, ndaj kisha dyshimet e mia se si mund të bëja këtë proces, por për mua ka qenë e bukur deri tani. Ne duhet të shfaqnim filmin, të bisedojmë me shumë njerëz, të dëgjojmë drejtpërdrejt nga ata se si filmi i preku dhe i frymëzoi ata. Për mua ishte një mënyrë tjetër – një mënyrë e bukur – për ta ndjerë këtë histori edhe një herë”, ka shtuar ajo.

Edhe pse filmi “Zgjoi”, nuk është në gjuhë angleze, për Bashollin një fryëzim për “Oscars” ishte filmi “Parasite”, që bëri histori për këtë kategori të filmave.

“Kur flas për t’u dhënë shpresë njerëzve nga një vend i vogël si Kosova, “Parasite” e ka bërë pikërisht këtë për mua dhe mendoj për të gjithë ata që prodhojnë filma ndërkombëtarë. Përveç faktit që “Parasite” është një film i jashtëzakonshëm dhe Bong Joon-Ho është një regjisor brilant, fitorja ndryshoi shumë gjëra dhe mbi të gjitha frymëzoi dhe dha shpresë për shumë prej nesh. Dhe mezi pres që më shumë filma ndërkombëtarë të fitojnë në këtë kategori”, ka thënë ajo.

Basholli, thekson se për një film nuk është e rëndësishme koha, apo gjuha, mirëpo ajo që ka rendësi sipas saj është gjithmonë tregimi dhe se si ajo histori i prek njerëzit.

E pyetur se si ndihet që po përfaqëson Kosovën, Basholli, thotë se është përgjegjësi e nder i madh.

“E gjithë Kosova i ka sytë nga ne, plus ne njihemi si njerëz që e duam shumë Amerikën. Amerika e ndihmoi vendin tonë të çlirohej dhe ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës për këtë, dhe njerëzit e lidhin përfaqësimin tonë me këtë dhe kanë pritshmëri të mëdha”, ka thënë Basholli.

Filmi “Zgjoi”, është në listën e ngushtë të nominimeve për “Oscars”, rrëfen historinë e grave të Krushës dhe Fahrije Hotit.