Sport Shqiptar

Bashkimi mposht Prishtinën dhe fiton Kupën e Kosovës në konkurrencën e femrave

FOTO: Kosovo Basketball Federation
FOTO: Kosovo Basketball Federation

Bashkimi ka arritur ta mbrojë Kupën e Kosovës duke fituar ndaj Prishtinës me rezultat 94:72 (23:22, 19:16, 27:15, 25:19).

Vajzat prishtinase e nisën më mirë çerekun e parë me seri 12:2, por në fund të çerekut të parë pas rikthimit të Bashkimit, në semafor shifrat ishin 23:22 në anën e Bashkimit. Periudha e dytë ishte më e barabartë për dy skuadrat, ku vajzat nga Prizreni shkuan në pushim me katër pikë diferencë, apo me rezultat 42:38.

Periudha e tretë e takimit ishte tërësisht në anën e skuadrës prizrenase, që thelluan epërsinë në 69:53. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte dallim të madh dhe Bashkimi fitoi sërish Kupën me rezultat 94:72.

Medaljet për vendin e parë i kanë ndarë, Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe ish basketbollistja e njohur Resmije Juniku. Ndërsa medaljet e argjendta i kanë ndarë Leart Hoxha, anëtar i bordit të FBK-së dhe Adriatik Rraci, Menaxher i Përfaqësueseve të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu ka ndarë mirënjohje për gjyqtarët dhe vëzhguesin e ndeshjes, si dhe trofeun e MVP-së për Khadija Haywood.

Kupën kapitës Aulona Muhadri  e dorëzoi Kryetari i Federatës së Basketbollit Arben Fetahu dhe Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

/Shqip.com