Lajme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura nuk e përkrah protestën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se nuk e përkrah protestën që do të mbahet të enjten para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

“Prandaj na duhet të reagojmë në prononcimin e organizatorit të protestës së nesërme, 26 maj 2022, për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), z. Adnan Jashari, duke treguar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj proteste”, thuhet tutje.

Ky reagim vjen si kundërpërgjigje ndaj organizatorit të protestës, Adnan Jashari pasi kishte deklaruar se gëzojnë mbështetjen e BSPK-së.

“Kemi marrë mbështetje prej qytetarëve dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Numri i protestuesve pritet të jetë i madh pasi qytetarët e kanë humbur durimin duke pasur parasysh vonesat në miratimin e ndryshimit në parim të Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti)”, kishte thënë Jashari për Telegrafin.

Ilustrim.

Të enjten e 26 majit në orën 12:00 do të protestohet para Kuvendit të Kosovës me kërkesën për t’u lejuar tërheqja e 30 për qind e mjeteve të Trustit.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%”, ka shkruar Haxhiu./Shqip.com