Lajme Ballkan

Bashkimi Evropian do ta heqë Kosovën nga lista e kuqe për udhëtime

Shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi do të mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian edhe pa ndonjë kriter për situatën pandemike, njofton Shqip.com.

Shtetet anëtare të BE-së u pajtuan të mërkurën me propozimin e përgatitur nga Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian që qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër Coronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së.

Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete.

Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, transmeton REL.

Pavarësisht se këto shtete largohen nga lista e kuqe e udhëtimeve, qytetarët e këtyre shteteve duhet të respektojnë edhe disa rregulla të tjera kundër pandemisë.

BE-ja i azhurnon listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me Coronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Në muajin maj, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe të ashtuquajturën “frenë emergjente”, në bazë të së cilës mund të riaktivizohet ndalesa e udhëtimit për vendet ku situata epidemiologjike përkeqësohet me shpejtësi./Shqip.com