Lajme Ballkan

Bashkëpunimi i SHBA-së me BIA-n do të jetë “thellë i ngrirë”

Autoritetet në Serbi po marrin sinjale se Uashingtoni zyrtar nuk e shikon me sy të mirë zgjedhjen e drejtorit të ri të BIA-s, Aleksandar Vulin.

Beogradi zyrtar ka marrë disa herë mesazhe të ngjashme diplomatike deri më tani, e i fundit ka ardhur nga ambasadori amerikan Christopher Hill gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme Ivica Daçiq të enjten më 5 janar.

Ambasadori Hill i ka thënë Daçiqit se bashkëpunimi me BIA-n do të “ngrijë thellësisht” në periudhën e ardhshme dhe se pas bisedimeve në Uashington është konstatuar se “zgjidhjet e personelit” në Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA) paraqesin një problem të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Hill tha se SHBA-të dëshirojnë të intensifikojnë bashkëpunimin me disa departamente të tjera të Qeverisë së Serbisë, përfshirë Ministrinë e Brendshme.

Hill i tha Daçiqit se së shpejti do të organizonte vizitën e ministres së policisë Bratislava Gashiq në Uashington.

Kujtojmë se Gashiq ishte drejtor i BIA-s deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë, ndërsa si njeri i parë i agjencisë së inteligjencës e zëvendësoi Aleksandar Vulin, i cili është përkrahës i hapur i politikës ruse.

Gjatë kohës si ministër i Policisë, Vulin pati disa takime me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, me të cilin ra dakord të bashkëpunonte në luftën e përbashkët kundër kryengritjeve popullore, të njohura më mirë si “revolucione me ngjyra”.

Anëtari i opozitës ruse Vladimir Kara-Murza e akuzoi Vulin se e kishte përgjuar atë gjatë kohës që ishte ministër i Policisë dhe se i kishte dorëzuar ato transkripte në Moskë. Vulin mohoi lajmin dhe njoftoi padi kundër Kara-Murza dhe mediave që transmetonin deklaratat e tij, raporton N1.

/Shqip.com