Lajme

Basha tallet me qeverinë në hije të PDK-së: Paramendo me pas bë qeveri nën diell, ishin sos

Dimal Basha

Krijimi i një qeverie në hije nga Partia Demokratike të Kosovës – po i duhet qesharake deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Basha, ka ironizuar ndaj përpjekjes së PDK-së, duke thënë se “kurrë diell me sy s’keni me pa!”- pasi sipas tij, LVV do të jetë në krye të qeverisë edhe për katër vite të tjera.

“PDK e paska përgatit një qeveri nën hije! Ani, veç banu gati me i ble do nxemje se paski m’u mërdhi për nja 8 vjet. Kurrë diellë me sy s’keni me pa!”, ka shkruar Basha.

Tallja e Bashës me partinë më të madhe opozitare, ka vazhduar edhe në një rresht tjetër.

“Apet nuk o keq, paramendo me pas ba qeveri nën diell, ishin sos, lëkura n’tokë iu kish ra tu pritë!” ka shkruar ai.

Përndryshe, me unanimitet të plotë, Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar Rregulloren për funksionimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë.

Këtë format opozitarizmi, PDK e kishte praktikuar edhe në vitin 2005-2007 sa ishte opozitë dhe kur drejtohej nga Hashim Thaçi.

Çka është Qeveria në hije?

Qeveria në hije, apo kabineti në hije, ka evoluar nga një proces joformal në Parlamentin Britanik. Nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Britani, filloi të shfaqej një opozitë e veçantë dhe e organizuar, e cila u bë një grup drejtues për të koordinuar strategjinë e tij ndaj dikastereve të qeverisjes.

Në Kosovë, përmes Qeverisë në hije, për çdo dikaster apo institucion të qeverisë, formohet një “dikaster hije” i opozitës

Opozita, Partia Demokratike e Kosovës në këtë rast, do të emërojë përgjegjës apo koordinator për secilin dikaster, i cili jep alternativa, kritikon dhe përcjell veprimet e dikasterit përkatës të Qeverisë së Kosovës./Shqip.com