Lajme

Basha: Rama korruptoi McGonigal për të shpifur për mua në SHBA! Drejtësia amerikane foli!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Pasi ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë si dhe shprehur keqardhjen për vdekjen e liderit të opozitës ruse, ai u ndal tek arsyeja e kësaj konference.

Basha ka folur lidhur me vendimin e gjykatës, dënimin e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal me 28 muaj burg. Basha akuzoi Edi Ramën për shpifjet që bëri në emër të tij, ndërsa tha se është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e vendeve demokratike, që kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës.

Mbushën mediat, dërguan madje dhe letra nëpër botë me shpresën se do të dëmtonin PD dhe Lulzim Bashën. Për keta kam vetëm keqardhje. Turpi është i tyre dhe këtë turp shqiptarët e në veçanti demokratët nuk do tua harrojnë kurrë”, tha mes të tjerash Basha.

Ai shtoi më tej se “drejtësia amerikane foli dhe McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD”. Më tej, ai tha se pas një investigimi “bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale”. “Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve”, tha Basha.

Deklarata e Bashës:

Sot jam para jush për të komunikuar për një çështje të paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e vendeve demokratike ku kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës. Një histori e tillë nuk është dëgjuar as në vende diktatoriale ku kundërshtari politik shihet si armik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të korruptojë shefin e kundërzbulimt të një vendi mik, aleat dhe partner strategjik me qëllimin e vetëm për të goditur dhe dëmtuar kundërshtarin e tij politik, në këtë rast Lulzim Bashën dhe PD.

Shumë miq, dashamirës dhe mbështetës kane shprehur habinë deri në frustrim se pse nuk flet Lulzim Basha. Kjo edhe pse në fakt që prej ditës se parë unë e kam thënë se gjithçka është një stisje e ndyrë. Por të jem i sinqertë, atëherë kurrë nuk më shkonte në mendje se deri ku arrinte ky skenar, se kryeministri i vendit tim të kryente një operacion të tillë kriminal kundër kreut të opozitës dhe PD. Ka pasur edhe nga ata për të cilët jam i keqardhur që ju bashkuan Edi Ramës në llumin e mashtrimeve, gënjeshtrave dhe akuzave për këtë çështje. I kam shpërfillur dhe mëshiruar, i qetë dhe i vendosur në vetëdijen time se asnjëhëre në asnjë moment PD dhe unë nuk ishim përfshirë në asgjë të paligjshme e aq më pak të lidhur me shpifjet monstruoze të prodhuara. Mbushën mediat, dërguan madje dhe letra nëpër botë me shpresën se do të dëmtonin PD dhe Lulzim Bashën.

Për keta kam vetëm keqardhje. Turpi është i tyre dhe këtë turp shqiptarët e në veçanti demokratët nuk do tua harrojnë kurrë. Kam pritur me qetësi, durim dhe besim që ndonëse e vërteta e kësaj ceshtje do merrte kohë ajo do të zbardhej. Por kam qenë i sigurtë që pas shpifjeve dhe sulmeve të ulëta fshiheshin duar të pista. E kam patur këtë bindje para se të dilte në shesh e vërteta e plotë përmes aferës McGonigal. Por sërish kam pritur të thotë fjalën e saj drejtësia amerikane, për të mos u krijuar asnjë alibi justifikimi nëpër banaqet mediatike të financuara me para krimi e korrupsioni nga ku mbushnin dynjanë me baltën e përnatshme. Drejtësia amerikane foli. McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD. Dhe dje mori dënimin prej 2 vitesh e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë që ka tronditur jo pak edhe opinion publik dhe agjensitë e ligjzbatimit dhe të zbulimit.

Drejtësia amerikane ka zbardhur në detaje gjithë operacionin kriminal që dirigjohej nga zyra e Edi Rames, ushqyer dhe mbështetur edhe nga disa gjoja opozitarë që sot shesin moral. Dënimi i ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, nga Gjykata Federale e Washingtonit nxori në pah luftën e paprinciptë dhe të pamoral të Edi Ramës ndaj opozitës shqiptare dhe veçanërisht ndaj meje si drejtues i saj. Ai nuk u mjaftua vetëm me përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, me shitblerjen e votës, me kriminalizimin e shtetit, me përdorimin e aseteve publike dhe privatizimin e shtetit për mbledhje votash, por korruptoi edhe zyrtarin e lartë të FBI vetëm e vetëm për të goditur Lulzim Bashën, PD, opozitën dhe për të penguar rotacionin politik vend. Kjo nuk eshte një ngjarje e vetme dhe as e izoluar.

Është pjese e një fushate të ndërtuar, financuar dhe zbatuar nga kryeministri i vendit pëmes një lufte me mjete të ndyra kundër kreut të opozitës dhe rivalit për kryeministër. Ju të gjithë i mbani mend investigimet mediatike të 2021 të cilat zbuluan para shqiptarëve se Edi Ramës nuk i mjaftoi vetëm operacioni kriminal i manipulimit dhe diktimit të votave, por kishte paguar për mbi 50 milionë mesazhe denigruese kundër meje neper rrjetet sociale. Që nga 2005 ku i jam bashkuar politikës kam qenë njeriu më i sulmuar dhe për fat të keq jo vetëm nga kundërshtari politik. Por gjithmonë kam besuar se e vërteta sado të zhytet, kurrë nuk do të mbytet.

Dhe ja ku jemi sot, gjithçka ka dalë në dritën e diellit. Gjithë balta, llumi shpifjet dhe mashtrimet u janë kthyer dhe përplasur në fytyrë autorëve të këtij operacioni kriminal. Por pas një investigimi bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale. Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve.

Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve sic e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj. Dje drejtësia amerikane foli, McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë. Dikush shpreson qe ky të jetë kapaku i kësaj historie rrëqethëse korrupsioni dhe kompromentimi të niveleve më të larta. Jam sot për ti thënë, mos gënje veten. Ky është vetëm fillimi i zbulimit të zinxhirit të aferave të tmerrshme korruptive.

Sado kohë të marrë, 8 ditë, tetë javë, tetë muaj apo tetë vjet, e vërteta do zbardhet dhe përgjegjësisë nuk do ti shpëtojë dot askush. Së fundmi ju drejtohem sërish miqve, mbështetësve dhe në veçanti demokratëve. Ndonëse gjithë këtë kohë kam qenë i qetë në ndërgjegjen time pasi isha i vetëdijshëm për falsitetin dhe ligësinë e fushatës së ndyrë të ndërmarrë, më ka munduar ndjenja e keqardhjes për demokratët dhe shqiptarët që janë lënduar nga këto sulme. U jam gjithmonë mirënjohës që qëndruan bashkë me mua për këtë të vërtetë. Lufta për të vërtetën është më e vështira, por çdo kapitull suksesi i shoqërisë njerëzore shënohet nga triumfi i saj mbi gënjeshtrën. Kështu do të ndodhë edhe me Shqipërinë.

/Shqip.com