Lajme

Basha: PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus

Kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Lulzim Basha, ish-kryetar i Partisë Demokratike, ka reaguar pas lajmeve se PD-ja ka qenë një nga partitë e vendeve europiane që është financuar nga Rusia.

Qëndrimi i tij ishte se PD-ja nuk ka marrë kurrë financim nga Rusia.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, ka shkruar Basha në Twitter.

Pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane, kreu aktual i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Genc Pollo, kërkuan transparencë mbi këto pretendime.

Më parë, Basha, ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke thënë në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Lexo edhe:
Zëri i Amerikës: SHBA tha se Rusia ka financuar parti politike në dhjetra vende, mes tyre përmenden 500 mijë dollarë që i janë dhënë PD-së në Shqipëri

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende./Shqip.com