Lajme

Basha: Nëse Berisha do të ndiqte këshillën time kur u shpall “non-grata”, sot PD do ishte afër pushtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në “Top Story se nëse Sali Berisha do të kishte ndjekur këshillën e tij që të tërhiqej kur u shpall “non-grata” nga SHBA-të, PD do të ishte tashmë shumë pranë pushtetit.

Më tej Basha tha se në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Berisha u ndihmua nga Rama për të korrur një fitore të përkohshme në Shkodër.

“Edhe sot e kësaj dite e përsëris, ndjej keqardhje të thjeshtë sepse nuk jam nga ata që harron historinë. Po të kishte ndjekur këshillën time, sot PD do ishte shumë më mirë, në mos në pushtet, shumë afër pushtetit.

Faza e dytë, është procesi zgjedhor i 6 marsit, siç e dimë fare mirë me ndihmë të nëndheshme të Edi Ramës arriti që në Shkodër të korrte një fitore jetëshkurtër. Dorëheqja ime erdhi me idenë që të kishte një tërheqje. Gjërat shkuan shumë më keq, një grup i mbetur në PD u përpoq të gjente rrugën më të shkurtër duke iu nënshtruar Berishës për ta çuar partinë atje”, u shpreh Basha.

Basha deklaroi se ka një lojë të nëndheshme mes një grup njerëzisht që sakrifikojnë Komisionet. Basha u shpreh se vetë ai nuk ka zgjedhur kurrë që të bëhet pjesë e kësaj loje.

“Unë personalisht nuk kam bërë përpjekje për të qenë në këtë lojë. Unë kam refuzuar me vetëdije të jem pjesë e kësaj loje. Ka një lojë të nëndheshme e cila në këto 34 vite ka marr formën e ‘mishin ta hanë, por kockën ta ruajnë’, të një kaste politike e cila është prodhim në Shqipëri dhe disa vendeve të tjera.

Është një grusht njerëzish të cilët edhe kur vjen puna për reforma të nevojshme për njerëzit, i sakrifikojnë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është një institucion, por sot ka rënë dhe është zëvendësuar në një qyp.

Ka një komision të ligjeve, dhe këta thanë do krijojnë as një nënkomision jo, por një grup pune.

Faktet tregojnë se PD është e vetmja palë e angazhuar në Komision, qëndron pjesërisht fakti që nuk ka funksionuar për shkak të palës tjetër, por vetë PD ka dy momente kyçe që ka depozituar në dhjetor të 2023 dhe nëntor të 2024, dy drafte që trajtojnë dy problematika”, tha Basha.

I pyetur se përse PD nuk ka kërkuar më parë listat e hapura, ai tha se këtë e kanë bërë, por që PS “bëri sikur i hapi”, por sipas tij u vendos herësi dhe u hoqën koalicionet.

“Ishte kërkesa jonë që u keqpërdor nga Rama kur bëri sikur hapi listat, por në fakt hoqi koalicionet. Fakti ky është, dhe Berisha dhe të tjerët kanë qenë në krahun tim. Pastaj çfarë thuhet pasi ka rrjedhur koha dhe ngjarje të tjera, kjo duhet gjykuar. Ne kemi kërkuar hapje listash që në 2020, dhe PS bëri sikur dhe vendosi herësin dhe hoqi koalicionet. U hapën pjesërisht dhe i kushtuan qytetarëve 85 mijë vota të pavlefshme”, tha Basha.

/Shqip.com