Lajme

Basha flet për “pazare”: Sot nisi merkatoja mes PS dhe “Rithemelimit”

Pas 5 muajsh kaos, kjo e enjte shënoi të parën ditë që Kuvendi i Shqipërisë iu rikthye normalitetit. Seanca nisi me debate e replika, një panoramë kjo normale.

Megjithatë ky nuk ishte rasti i Lulzim Bashës, i cili ishte i vetmi që kërkoi herë pas here fjalën, e përfundoi duke ‘zaptuar’ foltoren. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i bëri apel disa herë që ta lironte, për të vijuar zhvillimin normal të seancës. Basha nuk pranoi.

Edhe përballë paralajmërimit se do ta përjashtonte, Basha nuk u tërhoq. Si përfundim, disa minuta më pas kryeparlamentarja duket se e humbi durimin dhe i njoftoi atij përjashtimin nga seanca.

Jashtë ambienteve të Parlamentit, Basha u prononcua për gazetarët duke thënë se sot ka nisur “merkatoja” e vërtetë mes palëve politike. Sipas tij, do ngrihen dy komisione hetimore që nuk i shërbejnë aspak interesit publik.

“Bëhet e pakuptueshme të flasësh për Reformën Zgjedhore, është deformimi i vullnetit të qytetarëve që sjellin Parlamente të deformuara. E keqja duhet të shpërbëhet dhe të kurohet aty ku e ka zanafillën, kjo është arsyeja pse PD ka insistuar për një reformë për qytetarët, kemi propozuar një paketë integrale, Por më shumë se kaq listat e hapura janë një domosdoshmëri për të prishur paktin e 2008-ës. Votimi elektronik është provuar që ka një sërë problemesh që janë pjesë e lojës së pushtetit për të manipuluar votimin apo numërimin. Një nga dy komisionet që janë miratuar do trajtojë një subjekt që SPAK e ka hetuar, përftimi është 0. Për të kulmuar te reforma zgjedhore dhe buxheti i shtetit, ligji për investimet strategjike. Tani aty u thanë shumë fjalë, kishte një marrëveshje mes palëve që PD-së mos t’i jepej koha e duhur për të mos iu përgjigjur pretendimeve të gënjeshtërta. Pati një pretendim sikur ky ishte fundi i një merkatoje, sot në fakt fillon merkatoja. Protagonistët e këtij pazari! Viktimë e këtij pazari janë shqiptarët që përballen me këtë skenar dhe po ua them skenarin. Duan të shkatërrojnë një komision bipartizan dhe u bë një negociatë e nëndheshme për ndryshimet kushtetuese’.

Ai vijoi me akuzat ndaj mazhorancës dhe grupit të deputetëve të PD-së që ai i emërton si “Rithemelimi” dhe foli për një pazar mes tyre.

“Me radhë…S’kam ku shkoj se nuk më lejojnë të futem prapë brenda! Tensioni nuk është mes dy pikëpamjeve të ndryshme, por midis dy palëve në pazar dhe palës tjetër që denoncon dhe ka sakrifikuar për t’ju shërbyer interesit të shqiptarëve.”

Megjithatë, beteja thotë ai është në zhvillim duke përmendur dialogun e hapur me qytetarët.

“Beteja nuk mbaron këtu, demokracia është një betejë në zhvillim. Merkatoja që nis sot këtu bëhet në kurriz të shqiptarëve. Ne do ju drejtohemi me të gjitha format. Shumica dërrmuese e shqiptarëve është e neveritur nga kjo gjendje dhe kërkon ndryshim.”

Basha mohoi që ai dhe mbështetësit e tij kanë ndonjë përgjegjësi në dështimin e “Zgjedhores”.

“Loja për të vendosur gishtin e fajit është e pakuptimtë. Faktet janë këto, në Dhjetor të 2022-it është dorëzuar paketa e parë dhe në Nëntor të 2023-it paketa e dytë, që janë kundërshtuar nga PS dhe ata që njihen sot si “Rithemelimi”.

/Shqip.com