Lajme

Basha dhe Berisha festojnë të ndarë, PD e përçarë edhe në 33-vjetorin e themelimit

Për të tretin dhjetor me radhazi Partia Demokratike feston e ndarë përvjetorin e saj të themelimi. Edhe këtë 33-vjetor demokratët reflektuan ndasitë mes veti.

Lulzim Basha kishte mbledhur qindra mbështetës të tij në Pallatin e Kongreseve, ndërsa në një festë më të vogël Sali Berisha i kishte ftuar simpatizantët e tij në ambientet e një hoteli në kryeqytet! Aty u mblodhën ish-themelues të PD dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Berishës.

Para gazetarëve Basha nuk foli, por pyetjes se “e kujt është Partia Demokratike” Basha iu përgjigj përpara demokratëve që e mbështesin atë. “Partia Demokratike është e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.

Te takimi i Sali Berishës edhe këtë herë vëmendjen e tërhoqi Argita Berisha Malltezi e cila shoqëroi të atin e saj në këtë pritje, duke u shndërruar sërish në protagoniste e Rithemelimit.

Për Sali Berishën vitet më të rënda për demokratët kanë qenë 2013 kur PD humbi pushtetin pas 8 vitesh dhe viti 2021 kur partia u përça. Përgjegjës për ndarjen e demokratëve, Berisha bëri Lulzim Bashën.

Partia Demokratike vijon të jetë e përçarë prej vitit 2021 kur Sali Berisha u shpall non grata nga shtetet e bashkuara të Amerikës, ndërsa ai pretendon se e udhëheq PD, ndërkohë edhe Lulzim Basha pretendon se ai është drejtuesi legjitim i partisë, ndërsa çështja është në 3 gjykata në vend, përfshirë gjykatën e lartë!

/Shqip.com