Barrikadimi, metodë e kahershme serbe – “Në këto barrikada në Veri kishte njerëz të armatosur”

Vendosja e barrikadave për të bllokuar çarkullimin është metodë e kahershme serbe, së paku që nga viti 1990 kur barrikadohej Knin-i i Kroacisë, për të shpallur pseudo-republikën serbe të Krajinë, që njihej edhe si “Revolucioni i trungjeve”.
Në dritën e situatës së fundit në Veri të Kosovës, kryeministri kosovar, Albin Kuti, tha se “barrikadat kësaj here kishin një risi”.
“Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë ditë më parë.
Këtë të mërkurë, Kurti përsëri iu drejtua serbëve të Kosovës rreth barrikadave.
“Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk ju përfaqësojnë juve qytetarë tanë e as nuk ju mbrojnë ju”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.
Për dhjetë minuta kohë, natën para 1 gushtit, u vendosën nëntë barrikada në Veri.

Krejt kjo nën alarme të pjesës veriore të Mitrovicës, të mbështetur nga lufta hibride ruso-serbe se po përgatitej një e ashtuquajtur [operacion ushtarak] “Stuhi” kundër serbëve.
“Në këto barrikada kishte njerëz të armatosur”, u shpreh kryeministri.
Krejt çka ndodhi më 31 korrik dhe 1 gusht 2022 me barrikadat në veri të Kosovës.
“Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë”, tha ai.

Nga këto 11 plus 2, gjithsej 13 barrikada të 31 korrikut kemi pasur dhjetëra shkelje të rënda të ligjit me të cilat po merren organet e shtetit dhe kishim edhe 11 shqiptarë të lënduar apo të maltretuar, tha mes tjerash ai.
Si i kishin përdorur barrikadat serbët në Kroaci?
Të udhëhequr nga Milan Babić dhe Milan Martić, serbët vendas bllokuan rrugët që lidhin Dalmacinë me pjesën tjetër të Kroacisë.
Bllokada u bë kryesisht nga trungje të prera nga pyjet e afërta, kjo edhe arsyeja pse ngjarja u quajt “Revolucioni i trungjeve”.
Organizatorët ishin të armatosur me armë ilegale të furnizuara nga Martiç.
Meqenëse ishte një veprim i planifikuar, i planifikuar gjatë sezonit të pushimeve verore dhe ndërprerja e lidhjeve tokësore me rajonin e njohur turistik të Dalmacisë, dëme të larta ekonomike i janë shkaktuar turizmit kroat.
Revolta u shpjegua nga serbët me fjalët se janë “të terrorizuar [nga qeveria kroate]” dhe se ata “[luftojnë për] më shumë të drejta kulturore, gjuhësore dhe arsimore”.
Gazeta serbe “Veçernje Novosti” shkruante se “2.000.000 serbë [janë] të gatshëm të shkojnë në Kroaci për të luftuar”.
Diplomatët perëndimorë komentuan se mediat serbe po ndezin pasionet dhe qeveria kroate tha “Ne e dinim për skenarin për të krijuar konfuzion në Kroaci…”./Shqip.com