Sport Ndërkombëtar

Barcelona reagon ashpër pasi Roma tërhiqet nga trofeu Joan Gamper

Trofeu Joan Gamper 2022

Dueli romak dhe katalunas nuk do të mbahet dhe gjakrat janë nxehur.

Ndeshja e vendosur të luhet më datën 6 të këtij gushti, nuk do të luhet.

Ftesën e pranuar të Barcelonës nga Roma, për të konkurruar në sfidën për trofeun Joan Gamper, klubi italian e ka refuzuar tani.

AS Roma lajmin e bëri të ditur përmes komunikatave zyrtare në faqet e tyre në rrjete sociale.

“AS Roma njofton se ka tërhequr pjesëmarrjen në Trofeun Gamper, i planifikuar në Barcelonë më 6 gusht 2022. Vendimi rrjedh nga nevoja për ndryshimin e planifikimit të miqësoreve verore, për të krijuar kushte sa më të mira pune, në funksion të sezonit të ardhshëm, për ekipin e parë të klubit për meshkuj dhe femra”.

“Të dyja skuadrat do të vazhdojnë rrugën e tyre përgatitore përmes angazhimeve të tjera, më pak ndikuese përsa i përket udhëtimit, të cilat do të komunikohen sapo të përcaktohen. Falënderojmë FC Barcelonën për ftesën, të cilës klubi i uron vazhdim të mbarë të përgatitjeve verore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Romës.

Posteri i ndeshjes, AS Roma

Përgjigja e Barcelonës nuk vonoi dhe reagoi e revoltuar me gjestin e klubit nga Serie A.

Spanjollët kanë bërë të ditur se ka qenë Roma që është larguar nga kjo ngjarje derisa departamenti ligjor i klubit po studion veprimet që duhet ndërmarrë ndaj Romës.

“Barcelona njofton se Roma ka vendosur që në mënyrë të njëanshme, pa arsye, të tërhiqet nga kontrata e rënë dakord nga të dyja palët për ndeshjen e Trofeut Joan Gamper, e parashikuar për t’u luajtur më 6 gusht, në “Camp Nou” (do të kishte një përballje të dyfishte Barcelona-Roma, për femra dhe meshkuj)”.

“Klubi po punon për gjetjen e kundërshtarëve të rinj për edicionin e këtij viti. Në 24 orët e ardhshme do të fillojë kthimi i parave tashmë të shpenzuara për biletat. Klubi i Barcelonës dëshiron ta bëjë të qartë se anulimi i ndeshjeve ka ardhur për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të Barcelonës”.

“Departamenti Ligjor i Klubit po studion veprimet e mundshme ndaj klubit italian për dëmet e shkaktuara ndaj Barcelonës dhe tifozëve të saj për shkak të këtij vendimi të papritur dhe të pajustifikuar”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

Posteri i ndeshjes, FC Barcelona

Përndryshe, katalunasit zhvillojnë ndeshje përgjatë fazës përgatitore parasezonale në emër të këtij trofeu që nga viti 1966.

Ky trofe luhet mes katër klubesh, Barcelonës dhe tre tjerash që ftohen nga ta, në një sistem play-off, për nder të një nga themeluesit, lojtarët e më vonë president i Barçës, Joan Gamper. /Shqip.com