Sport Ndërkombëtar

Barcelona mposhtet në “Camp Nou” nga Sociedad

Barcelona ka pësuar humbjen e parë pas kurorëzimit si kampione këtë sezon të LaLiga. Ata që “prishën” atmosferën në “Camp Nou” ishin baskët e Real Sociedad, të cilët i ndëshkuan me shifrat 2-1.

Sfida u zhbllokua që në minutën e pestë pas golit të Mikel Merinos që kaloi topin poshtë këmbëve të Ter Stegen. Në vijim, vendësit provuan të rivendosnin ekuilibrat, por pa rrezikuar konkretisht.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, kur pritej reagimi i katalanasve, Sociedad shënoi edhe një tjetër gol. Kundërsulmi perfekt u konkretizua nga ana e Alexander Sorloth në minutën e 72-të.

Në minutën e 90-të, Robert Lewandowski gjeti rrugën e rrjetës, por goli shërbeu vetëm për statistikë dhe Barcelona duhej të gëzojë trofeun edhe pas kësaj humbje ndërsa nga ana tjetër, baskët ngjiten në vendin e katërt me 65 pikë duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm.

/Shqip.com