Lajme

Banorët protestojnë për herë të tretë kundër shfuqizimit të planit rregullues “Kalabria”

Banorët e lagjes “Kalabria” kanë protestuar sot për herë të tretë duke kërkuar nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama të heq dorë nga shfuqizimi i planit rregullues për lagjen e tyre.  

Sipas tyre me shfuqizimin e planit rregullues do të pamundësohet mbulimi i lumit dhe punimet e rrugës A.

Përfaqësuesi i banorëve, Besim Krasniqi deklaron se plani rregullues ishte miratuar në Kuvend duke i hapur rrugë investimeve të reja në këtë lagje e cila deri tani është neglizhuar.

“Kërkojmë nga Kuvendi Komunal që të mos bëjë shkelje sepse plani rregullues është i barabartë për banorët. Nëse shfuqizohet sjell shumë probleme. Me planin mundësohet rregullimi i kolektorit dhe shpronësimi bëhet më lehë. Si lagje jemi diskriminuar tash e 15 vite sepse nuk ka pasur investime”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk mund të pranohet arsyetimi i kryetarit Rama i cili ka deklaruar se nevojitet një plan i ri për këtë lagje. “Ai po thotë se plani është bërë me nguti. Tash ne nuk kemi faj nëse ka pasur ndonjë nguti në këtë plan. Thjesht ata duhet të ekzekutojnë atë se çfarë është miratuar”, ka  shtuar ai.  /Shqip.com