Ekonomi

Banka e Shqipërisë rrit sërish normën e interesit për të ulur më tej inflacionin

Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë njoftoi sot një rritje të re të normës bazë të interesit të monedhës vendase lek, me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në kuotën e 3.25 për qind. Gjatë vitit 2023, inflacioni njohu një tendencë rënëse dhe sipas të dhënave zyrtare ai shënoi “shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, i diktuar nga rënia e inflacionit të importuar”.

Por pavarësisht kësaj, Banka Qendrore ka vlerësuar se “presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart”.

Siç shpjegoi guvernatori Gent Sejko “reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm.

Ai faktorizon nevojën për një rol më aktiv të politikës monetare në drejtim të balancimit të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, përkundrejt pritjeve për një ecuri më të stabilizuar të kursit të këmbimit dhe një politike fiskale më neutrale në horizontin afatmesëm. Në këtë kontekst, ai i shërben ruajtjes së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, garantimit të stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit”.

Rritja e normës bazë të interesit u sugjerua dhe nga misionit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundim të takimeve të cilat u përmbyllën javën e shkuar. “Kthimi i inflacionit në objektivin e synuar me gjasa do të kërkojë disa rritje të mëtejshme. Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë.

Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral– vlerësuar në rreth 4.5 për qind—do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025”. FMN shpjegoi se “ka pasiguri në lidhje me ecurinë e inflacionit” e për këtë arsye “një qasje elastike që lejon vendimmarrje mbi normën bazë takim pas takimi, do të ishte e përshtatshme”.

Pas një periudhe të gjatë 13 vjeçare, gjatë së cilave norma bazë e interesit kishte njohur vetëm ulje, duke rënë në minimumin historik prej 0.5 për qind, Banka e Shqipërisë ndërhyri për herë të parë në mars të vitit të kaluar, kur inflacioni dha shenjat e para të rritjes. Gjatë vitit të kaluar ajo ndërhyri, me rritje të njëpasnjëshme, dhe katër herë të tjera, si dhe së fundmi në mars të këtij viti. /VOA

/Shqip.com