Ekonomi

Balluku: SHELL po përfundon eksplorimin në Berat, parametrat flasin për naftë cilësore

SHELL
SHELL

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, paralajmëroi gjetjen e rezervave të naftës dhe gazit nga kompania SHELL në Shpirag, Berat, çka do të sillte ndikim të madh në ekonominë e vendit.

Gjatë një takimi me mjekë dhe infermierë të spitalit të Burrelit, ku prezantoi edhe reformën e pagave që po ndërmerr qeveria, Balluku tha se SHELL është në përfundim të eksplorimit dhe se parametrat flasin për një eksplorim nga më të mëdhenjtë në Evropë, për më tepër me një cilësi që nuk dilte në sipërfaqen e tokës prej vitesh.

Presim një lajm të mirë nga sektori i naftës. Prej vitesh kemi 3 kontrata të lidhura me 2 nga kompanitë më të mëdha evropiane, me kompaninë holandeze SHELL dhe kompaninë italiane ENI. Kompania SHELL është në përfundim të eksplorimit dhe parametrat flasin për një eksplorim nga më të mëdhenjtë në Evropë, për më tepër me një cilësi që nuk dilte në sipërfaqen e tokës prej vitesh. Të gjitha këto do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit. Prej kohësh kemi stabilizuar të gjithë parametrat makroekonomikë”, theksoi Balluku, raportojnë mediat në Shqipëri.

/Shqip.com