Sport Shqiptar

Ballkani rikthehet lider, Gjilani ndal Dritën

Ballkani rikthehet lider, Gjilani ndal Dritën

Ballkani është rikthyer në pozitën e parë në renditjen e Albi Mall Superligës së Kosovës, dy javë para përfundimit të kampionatit. Skuadra nga Suhareka ka shënuar fitore para tifozëve të vet, në javën e 34-t në duel me Llapin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për portokallezinjtë e shënoi Albion Rrahmani, me gjuajtje me kokë, në minutën e 29-të.

Ndërkohë, Drita ka barazuar në përballje me rivalin e qytetit, Gjilanin, me rezultat 1:1. Rron Broja e kaloi Dritën në epërsi, në pjesën e parë me një gol të shkëlqyeshëm, por shifrat i barazoi Mevlan Zeka nga penalltia, në minutën e 82-të.

Pas këtij barazimi Drita ka rënë në pozitën e dytë, me 67 pikë dy më pak se Ballkani.

Dukagjini është ngjitur në pozitën e katërt në renditje, pas fitores bindëse ndaj Drenicës në Skenderaj, me shifrat 4:1, me golat e Marclei Santosit (16’, 30’), Altin Merlakut (20’) dhe Granit Elezajt (45’+), derisa golin e vetëm për Drenicën e shënoi Gentian Imeri (35’).

Një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitë ka arkëtuar Malisheva, e cila në shtëpi ka barazuar me Prishtinën (1:1). Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 61-të nëpërmjet Mërgim Pefqelit, por shifrat i barazoi Bleart Tolaj, në minutën e 79-të.

Ferizaj ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në duel me rivalin direkt për mbijetesë, Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të mëdha për ferizajasit e shënoi Albin Krasniqi në minutën e 53-të.

Pas kësaj fitoreje, Ferizaj është ngjitur në pozitën e tetë, e cila siguron ndeshjen e barazhit, me 38 pikë, derisa Trepça’89 tani ndodhet në pozitën e parafundit, me 37 pikë, pozitë kjo që dërgon në një rang më të ulët të garave.

/Shqip.com