Sport Ndërkombëtar

Ballkani pëson me përmbysje të rezultatit

Ballkani ka pësuar humbje me rezultat 1:2 nga skuadra turke Sivasspor, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, e vlefshme për rrethin e katërt të Grupit G të Ligës së Konferencës, shkruan Shqip.com.

Kampioni i Kosovës e nisi shumë mirë ndeshjen dhe pjesën e parë e mbylli me epërsi prej 1:0, me golin e shënuar nga kapiteni Armend Thaqi në minutën e 36-të.

Mirëpo, në pjesën e dytë gjërat ndryshuan dhe mysafirët nga Turqia e përmbysën rezultatin.

Fillimisht, Hakan Arslan i barazoi shifrat në 1:1, në minutën e 72-të, e më pas Karol Angielski (81’) shënoi për shifrat 1:2, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar.

Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Sivasspor e Cluj kryesojnë në Grupin G me nga 7 pikë, ndërsa Slavia Prague e Ballkani i kanë nga katër pikë.

Në ndeshjen e rrethit të pestë, më 27 tetor, Ballkani e pret skuadrën çeke, Slavia Prague.

/Shqip.com