Sport Shqiptar

Ballkani është kampion i Kosovës – tabela

Ballkani ka shënuar fitore 2-0 ndaj Ferizajt dhe e ka siguruar titullin e kampioni të Kosovës, duke e përsëritur suksesin e vitit të kaluar, shkruan Shqip.com.

Një gol i shënuar nga Edvin Kuç (65’) dhe një tjetër nga Meriton Korenica (76’), i kanë mjaftuar skuadrës nga Theranda të shënojë fitore, e cila pati vlerën e titullit.

Për të festuar një javë para përfundimit të kampionatit, Ballkanit ia mundësoi edhe Malisheva, e cila fitoi në udhëtim te Drita, që ishte kandidate tjetër për titull.

Golin e fitores për Malishevën, e shënoi Sobowale në minutën e 57-të. Me këtë fitore Malisheva i është shmangur edhe zonës së barazhit.

Aktualisht në pozitën e 8-të, që luan në barazh është Ferizaj, ndërsa Trepça ’89 sot pësoi humbje në udhëtim te Dukagjini me rezultat 1-3 dhe mbetet në pozitën e 9-të, e cila shpie në rang më të ulët të garave. Ndeshja në Podujevës ndërmjet Llapit e Gjilanit përfundoi me barazimin 2-2, ndërsa Prishtina ka shënuar fitore me shifrat 4-1 ndaj Drenicës, e cila në edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

/Shqip.com