Lajme

Balje thotë se është kërcënuar me jetë dhe se i dyshuari është arrestuar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës - Duda Balje

Deputetja Duda Balje ka bërë të ditur se ka raportuar një rast te organet policore, pasi që përmes telefonit është kërcënuar dhe shantazhuar nga personi me inicialet B.S.

Balje ka theksuar se kërcënimi ka qenë serioz dhe është bërë me dashje, ndërsa ka njoftuar se gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve personit me inicialet B.S.

“Këtë herë, përmes këtij postimi dëshiroj të bëj një sqarim për opinionin publik lidhur me një shkrim që ka qarkulluar sot në portalet tona lidhur me një rast ku unë kam qenë viktimë e kërcënimit dhe shantazhit nga personi me inicialet B.S”, ka thënë Balje.

Deputetja potencoi se i dyshuari e ka pranuar në tërësi fajin.

“Me datë 16 janar 2023, unë kam raportuar një rast te organet policore dhe prokuroriale pasi që përmes telefonit jam kërcënuar për jetën time dhe të familjes time. Kërcënimi ka qenë serioz dhe është bërë me dashje të drejtëpërdrejtë nga një person me përgjegjësi të plotë penale.

Rrjedhimisht me datë 17 janar 2023 me kërkesë të prokurorisë, gjykata i ka caktuar të dyshuarit B.S masën e paraburgimit në kohëzgjatje fillestare prej 30 ditëve. Sipas informacioneve që unë kam si viktimë e rastit, i dyshuari ka pranuar në tërësi fajin për veprat penale që po gjykohet”, ka theksuar deputetja Balje.

Ajo ka falënderuar policinë e Kosovës për reagimin me kohë dhe korrekt.

/Shqip.com