Lajme

Balje-Konjufcës: Qytetarët në rrugë po më thërrasin “naftë”, pse nuk pate guxim të thuash të vërtetën

Deputetja e Kuvendit të Kosovës - Duda Balje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, i është drejtuar me një postim në Facebook kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, duke kërkuar nga i njëjti që t’i mbrojë deputetët të cilët janë kompensuar për derivate.

Sipas saj, Konjufca ka qenë i detyruar që të sqarojë publikun në emër të të gjithë deputetëve për shpenzimet e udhëtimit që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit.

“Pse nuk pate guximin te thuash të vërtetën, të paktën timen, nuk kam gënjyer për vendbanimin tim apo nëse kam makinë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Mes tjerash, ka thënë se për herë të parë prej kur është bërë deputete, ndihet keq pasi “në tre ditët e fundit kam pasur mbi 280 telefonata nga mediat, çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin ‘naftë’ në forma e kontekste të ndryshme”.

“Dje, djali im 13-vjeçar pati një diskutim në klasë me miqtë e tij se si nëna e tij është një ‘hajdute’. Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkoj në shkollë, për shkak të komenteve të ndryshme në emrin tim. Paramendoni si ndihet fëmija im në këto moment!”.

“Unë nuk jam hajdute dhe ti je kryetar i Kuvendit në të cilin punoj, thuaj të vërtetën, ose ndrysho rregulloren, merr një vendim tjetër për shpenzimet, hidhe në tryezë iniciativën e ligjit për deputetët”.

“Si kryetar i kuvendit ju takon të thoni të vërtetën e ti dilni në mbrojtje deputetëve të cilët nuk kanë vepruar asgjë kundër rregullores dhe ligjit”.

Ndryshe, deputetja Duda Balje për muajt nëntor-dhjetor të vitit 2021 ka marrë nga buxheti i shtetit 870 euro për shpenzimet për karburant.

Për këtë shifër, ajo u arsyetua dukë thënë se nuk jeton në Prishtinë, dhe se udhëton çdo ditë nga Prizreni për të marrë pjesë në seanca të Kuvendit dhe mbledhje të komisioneve parlamentare./SHQIP.com