Bajrami: Qeveria me pakon për “ringjallje ekonomike” dëshiron të përfitojë elektoralisht

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se ridizajnimi i buxhetit nga Qeveria për “ringjalljen ekonomike” do të shfrytëzohet për fushatën zgjedhore nga Lëvizja Vetëvendosje.
Këto komente, Bajrami i bëri gjatë një interviste në ATV, aty ku Bajrami kritikoi Qeverinë e Albin Kurtit.
“Ajo çka ne druajmë, edhe sigurisht që do të ndodhë, po e them këtu në studion tuaj, dhe mbajë përgjegjësi për këtë deklaratë. Unë druaj që këta janë duke planifikuar që të gjitha këto miliona, t’i shpenzojnë gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale”, ka thënë Bajrmai.
“Ajo çka po them është se pakoja për ringjalljen ekonomike, të fillojë të zbatohet në kohën e fushatës elektorale. Të shpërndahen subvencionet dhe të bëhen shtesat e fëmijëve, të paguhen lehonat, të kemi edhe ndonjë rritje ndoshta të pensioneve dhe të gjitha të tjerave”, shtoi Bajrami.
420 milionë euro qeveria i ka ndarë për pakon e “ringjalljes ekonomike”.
Kjo me qëllim që të ndihmohen bizneset dhe segmente e tjera të dëmtuara nga pandemia COVID-19.
Sektori privat vazhdimisht është ankuar se pandemia i ka dëmtuar shumë. /Shqip.com