Lajme

Bajram Velija pranon se ka vrarë gruan e tij

I akuzuari gjatë seancës gjyqësore

Bajram Velija ka pranuar se ka vrarë gruan e tij A.A.V., me 14 plumba, në mbrëmjen gushtit të vitit 2019, në lagjen Ortakoll në Prizren, përcjell Shqip.com.

I akuzuari në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, sqaroi se nuk kishte planifikuar dhe nuk kishte dëshiruar që një gjë të tillë t’ia bëjë gruas së tij.

“Momenti i vrasjes nuk ka të bëjë aspak me dashje, në momentin kur ka ndodh rasti, këtë mundem me iu thënë se nuk ishte me dashje”, deklaroi i akuzuari.

Sipas prokurorisë, deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të akuzuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

Në ditën kriktike, para se të ndodhte vrasja, Velija rrëfeu se me viktimën kishin dalur në treg dhe më pas në orën 18:00 ishin kthyer në shtëpi dhe kishte rënë për të fjetur, kurse diku rreth orës 20:00, gruaja ishte drejtuar ndaj tij me disa fjalë të çuditshme, raporton Kallxo.com.

“Kurrë s’të kam deshtë, nuk të dua dhe nuk të rri, më tha ajo, dhe më pas doli nga dhoma”, deklaroi i akuzuari.

Ndërkaq, pas kësaj ngjarje, sipas tij, në orën 23:00, kur ishte zgjuar nga gjumi, ai e kishte vërejtur se e ndjera nuk kishte qenë në shtëpi.

 “U çudita se paska dalë pa më treguar, më pas mora çelësat dhe i armatosur, me armën të cilën e mbaj gjithmonë nën jastëk, dola jashtë dhe shkova afër vendit – marketit ku kishte qenë A.A.V”, tha i akuzuari.

Më pas, i akuzuari nga mbrojtësi i tij u pyet përse e kishte marr revolen dhe e kishte vrarë A. A.-V., gruan e tij, ai shpjegoi se diçka e çuditshme kishte ndodhur me të.

“Kur dola tek marketi, aty për aty për një moment të shkurtë nuk e di se çka ndodhi me mua, u bllokova, më iku truri, është e çuditshme por përballë meje erdhi në drejtim një katror i zi, ku dhe kam shtënë në të”, tha Velija.

Tutje sqaroi se ai kishte shtënë në “katrorin e zi”, kurse anash tij kishte qenë e ndjera gruaja e tij, dhe kur e kishte kthyer kokën prapa e kishte parë A. A.-V., në tokë.

Lidhur me “katrorin e zi”, i akuzuari në përfundim të gjykimit deklaroi se kishte qenë hera e parë që i kishte ndodhur, dhe kësi momente nuk kishte pasur asnjëherë në jetë.

Pas marrjes në pyetje të të akuzuarit Velija, përfaqësuesja e prokurorisë Ervehe Gashi, nga gjykata kërkoi një kohë të arsyeshme për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, mori vendim që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet dhe i njëjti të caktohet me datë 29 shtator 2021.

Sipas Prokurorisë, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A. – V.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë dhe “armëmbajtjes pa leje”./Shqip.com