Lajme

Bajram Begaj presidenti i ri i Shqipërisë

Bajram Begaj, është zgjedhur president i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.

Begaj do të jetë pasardhësi i Ilir Metës dhe të qëndrojë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Gjeneralmajor, Bajram Begaj, ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë.

Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.