Lajme

Bajram Begaj betohet si president i Shqipërisë

Bajram Begaj president i Shqipërisë

Bajram Begaj është betuar ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë si president i ri i vendit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në seancë, Begaj tha se ai do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Ndërkohë që u bëri thirrje forcave politike që të bashkëpunojnë për të çuar përpara Shqipërinë Evropiane.

“E nderuar zonja kryetare e Kuvendit, i nderuar zoti kryeministër, të nderuar ministra, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të dashur qytetarë! Është nder për mua t’i drejtohem Kuvendit si president i republikës. Jam i vetëdijshëm se mbi privilegjin e Presidentit të Republikës, rëndon përgjegjësia e unitetit kombëtar.

Shqipëria jonë e dashur ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane. Shqipëria europiane sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur, është përmbushja e ëndrrës shekullore dhe bekimi i së ardhmes. Unë e njoh dhe mbështes opozitës shqiptare. Shqipëria dhe shqiptarët janë rreshtuar në anën e duhur”, tha ai.

Begaj do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, i cili u zgjodh si President i republikës në vitin 2017-të.

Bajram Begaj u zgjodh president i ri i Republikës në datë 4 qershor me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, raporton abcnews.

Begaj u zgjodh President në raundin e katër, dhe erdhi si propozim i mazhorancës në pushtet.

Ai është Presidenti i tetë i Shqipërisë.

Presidenca e Shqipërisë

Kush është Bajram Begaj

Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967, ai është një oficer ushtarak shqiptar, i cili po shërben si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake./Shqip.com